Albania Traditional Clothe / Myzeqe, Fier

Guna është një nga veshjet më karakteristike dhe përcaktuese të zonës së Ballkanit.
Në Shqipëri me përjashtim të disa grupeve të popullsisë brenda Alpeve të Veriut dhe atyre që kanë zbritur prej tyre në fushat bregdetare, guna ka qënë e përdorur në të gjithë vendin. Përveçse përdorimit të gjërë të saj në çdo popull të Ballkanit, gunën e shohim që të përdoret edhe në çdo kategori të saj, pa dallim seksi, moshe dhe gjëndjeje shoqërore.

Në çdo variant të gunës gjejmë një emër të ndryshëm. Në Shqipëri gjëndet me emrat: “zhgun” në Shalë, Shosh, Mërtur, Berishë; “shingun”, “shangun” etj te vllehët, krahinën e Prespës, në Vurgun e Delvinës etj; “gunë” në Lumë (Tërthore), Martanesh, Myzeqe, Çamëri, në fshatrat e Konispolit; kurse në malësi të Lezhës e quajnë “gunzë”, “xhupletë”, “xhupetë” e quajnë në kallmet; “xhup” e quajnë bajrakët e Ohrit, Mirditës etj; “cibun”, “cipun” e quajnë në rrethin e Pogradecit dhe në malësinë e Korçës; “xhoke” e quajnë në luginën e Shkumbinit; “dollame”, “dallamë” në Shkodër e Posribe; “dollame” në qytetet e Korçës apo Leskovikut; “nemte” e quajnë në pjesën e ulët të luginës së Matit, në Kurbin etj; “guzhup” e quajnë në Dukagjin ….

Një nga materialet më të përdorura për përgatitjen e gunës janë prodhimet me burim nga blekoria, si lëkura dhe leshi. Ajo që i jep gunës më tepër ndryshime dhe që përfiton një shkallëzim të pakufi nuancash është forma e saj.

Në përdorim të popullit tonë gjejmë edhe format më arkaike të emrit gunë. Në Shqipërinë e Veriut, në përgjithësi, me emrin “zhgun” kuptojmë thurjen e trashë prej leshi të punuar në shtëpi në vegje, me katërliq e të shkalur, të paprërë e të paqepur. Emri “gunë” ështe formë e shkurtuar, që ka rrjedhur nga emrat “zhgun”, “shingun”, “shangun”, etj


Në zonën e Muzeqesë së Vogël ose ndryshe Muzeqeja e Fierit, në fshatrat midis Semanit e Vjosës gjejmë një nga llojet më të veçanta të gunës, guna me rreke. Zakonisht kjo gunë ka dy kinda të zbukuruara me disa rreshta paralele këndelkash (gajtanësh) leshi te kuq, prej nga quhet gunë me rreke. Mbi gunë gruaja vishte mëngoren me mëngë të çara, që zakonisht vareshin prapa në mënyre dekorative. Kjo gunë përgatitet me shajak të bardhë. 

Referenca: ‘Atlasi Etnografik’ nga Rrok Zojzi, botuar nga IKSA
Albania Traditional Clothe / Myzeqe, Fier
Published:

Albania Traditional Clothe / Myzeqe, Fier

Traditional Albania Clothe photography

Published: