Xhubleta

Xhubleta me origjinën e saj të lashtë, dëshmitë për të ciën shtyhen thellë në kohë deri në katërmijë vjet më parë. Fizionomia e qëndrueshme deri në kohën tonë e kostumit me xhubletë, historikisht është kristalizuar përmes marrëdhënieve dialektike të strukturës tipologjike me strukturën artistike.
Fakti që kostumi me xhubletë ka strukturë të pasur artistike, që forma e papërsëritshme, ngjyrat ornamentet dhe stili i zbukurimit i japin karakteristika dalluese nga veshje të tjera tradicionale për gra në Shqipëri.
Dekoracionet janë në funksion të pjesëve ku zbatohen, i përshtaten materialit, teknikës dhe pozicionit ku vendosen. Larmia e strukturës artistike të kostumit me xhubletë shfaqet edhe në variantet zbukuruese sipas moshës së bartëses, pra, të vajzave, të nuseve dhe të moshuarve, apo sipas ngjarjeve të ndryshme familjare ose cermonitë ku shkojnë etj. Nga ky aspekt i rëndësishëm i funksionit shoqëror të veshjes dallojmë tri variante: xhubleta e bardhë, e kuqe, dhe e zezë, sipas ngjyrës që kishin ivat e xhubletës. Zbukurimin më të plotë xhubleta e arrin te kostumi nusëror, madje një veshje e tillë ruhet edhe për vdekje (petku i dekës).

Nga pamja artistike kostumi me xhubletë do ta konsideronim poetikisht sinonim të alpeve: madhështore dhe kryelarta janë Alpet, e madhe e hijërëndë xhubleta, fisnike e legjendare shfaqen në horizont Alpet, po aq fisnikërisht hijeshon malësorja e veshur me xhubletë në sfondin e tyre. Duket sikur malet i kanë dhënë xhubletës hijen e tyre dramatike e madhështore përmes ndriçimit të kohërave. I ndoshur mes malësh, shpirti i malësorëve është frymëzuar nga bukuritë e natyrës alpine. Shungullima vigane e Alpeve, rrëketë, përrenjtë e lumenjtë gjëmimtarë, vrazhdësia e pamjes së maleve natën, ndriçimi brilant dhe reflekset hënore të dëborës netëve të kthjellta, pllajet alpine të kuqerremta vjeshtake si të lara në ar, përbëjnë shtratin e gjërë objektiv natyror ku gjallonte e frymëzohej përfytyrimi estetik i malësorëve.
Duke soditur sipërfaqen e ashpër të xhubletës, të vegojnë para syve varacione të ngjashme me relievin e thyer alpin.
Pamja e përgjithshme e kostumit me xhubletë diçka fsheh në zbukurim. Së largu, një tis i padukshëm, një puhi leshtore e shajakut, disi mjegullon pjesët e zbukuruara të veshjes, por po të afrohesh dhe të vëzhgosh nëpër detajet e zbukurimores së saj, hyn në një botë të tërë figurash. Është njëlloj sikur në mëngjes, majë malit, të vështrosh një pllajë alpine të veshur nga mjegulla mëngjesore e t’i gëzohesh asaj së largu. Pastaj u afruar e duke hyrë nëpër të, mjegulla shpërndahet pa kuptuar e atëherë çuditesh e lumturohesh në morinë e luleve që kanë çelur aty.


Fragmente të marra nga libri ‘Arti popullor në veshje e tekstile’ të autorit Agim Bido
Xhubleta
Published: